Kështu pra, me shijen e mirë e ngrohtësinë e Llogora Tourist Village në shpirt, zbritëm poshtë e u nisëm për Prishtinë. Shiun e lamë pas dhe teksa përshkonim Autostradën e Kombit e më pas një vizitë të shkurtër në Kukës, u përpoqëm që shija e hidhur e postbllokut plaçkitës të xhepave të shqiptarëve pa u kthyer asgjë në këmbim dhe e Kukësit të boshatisur nga ikjet masive, të mos na helmonte gjendjen shpirtërore.
Hyjmë në Prishtinë rreth orës 4.30. Për forcë zakoni kafen e parë do ta pijmë patjetër te njëri prej lokaleve të NewBorn-it. Ëmbëlsirat përveçse të mira, ishin aq të freskëta, saqë dukeshin sikur sapo kishin dalë nga furra aty në Bar Pastiçeri Piano, ku vendosëm të uleshim.
Dhe pasi u çlodhëm disi nga rruga e gjatë Llogora-Prishtinë, drejt e te sheshi “Ibrahim Rugova”.
Uauuuuuuuu….
Sa e bukur ishte bërë Prishtina!
Tuneli i gjatë i dritave nga fillimi deri në fund të bulevardit, që kufizohej si segment në të dy anët me sheshe të vogla rrethuar me shtëpiza, pemën e madhe dhe instalacione festive, ushqehej edhe nga dekorimet e ndërtesave publike dhe private, baret e tejndriçuar e zbukuruar dhe gjithfarëlloj lodrash e tollumbacesh vezulluese, që të ngatërroheshin nëpër këmbë kudo.