Qëllimi ynë është që mysafirëve t’u ofrojmë një mjedis jashtëzakonisht të pastër, të sigurt dhe miqësor të hotelit. Rregullat e hotelit janë përcaktuar bazuar në standardet e sektorit, procedurat e menaxhimit dhe atyre operative. Rregullat e hotelit konsiderohen si pjesë e marrëveshjes së rezervimit me juve. Si mysafir i hotelit, pasi ta keni lexuar dhe nënshkruar fletëregjistrimin, ju njëherit pajtoheni që t’i respektoni të gjitha kushtet dhe procedurat e rregullave të hotelit. Rregullat e hotelit të paraqitura këtu ndihmojnë në promovimin e sigurisë dhe rehatisë së mysafirëve tanë dhe sigurojnë që secili mysafir të jetë i vetëdijshëm për marrëveshjen në mes të hotelit City Inn dhe mysafirit. Rregullat tona të hotelit mund të ndryshojnë ndonjëherë, prandaj ju lutemi që t’i kontrolloni ato herë pas here.
HOTEL KU RREPTËSISHT NDALOHET PIRJA E DUHANIT
City Inn është një hotel në të cilin pirja e duhanit është rreptësisht e ndaluar. Për të ofruar siguri dhe për të mundësuar që objekti ynë të mos jetë i ekspozuar ndaj gjërave apo veprimeve që krijojnë aromë jo të shëndetshme dhe të papranushme për mysafirët dhe stafin tonë, e që largohen me vështirësi nga ajri, qilimi, muret dhe mobiliet, ne nuk lejojmë në hapësirat tona përdorimin e duhanit, marihuanës, drogave të jashtëligjshme, cigareve elektronike (e-cigare), lapsave për thithje të avullit (vape pens), pajisjeve që përmbajnë nikotinë të lëngshme, nargjiles, temjanit, gatimeve, cigareve, ndezjen e qirinjve ose përdorimin e vajrave tjera.
Inkurajojmë mysafirët që menjëherë të njoftojnë personelin e hotelit nëse nuhasin aromë të cigares ose ndonjë aromë tjetër të pakëndshme. Ky rregull nuk ka për qëllim t’i ndalojë njerëzit që të pijnë duhan, por të rregullojë se ku pihet duhani dhe si ndikon kjo tek të tjerët. Hapësira e caktuar ku mund të pihet duhani është e siguruar jashtë objektit. Për shkeljen e këtij rregulli aplikohen gjobat me të holla.
PËRDORIMI I QIRINJVE, TEMJANIT DHE VAJËRAVE ESENCIALE
Përdorimi i qirinjve, temjanit dhe vajrave esenciale (difuzimi, avullimi, etj.) janë të ndaluara. Këta artikuj dhe aktivitete do të trajtohet ngjashëm sikurse pirja e duhanit dhe do të aplikohen gjoba për shkeljen e këtyre rregullave.
NDALOHET PËRGATITJA E USHQIMIT DHE GATIMI
Siguria e mysafirëve tanë, personelit dhe këtij objektit është shumë e rëndësishme për ne. Përgatitja e ushqimit nëpër dhomat e mysafirëve përmes përdorimit të çfarëdo pajisjeje gatimi është i ndaluar dhe do të aplikohen gjobat për shkeljen e këtij rregulli.
REZERVIMET E GARANTUARA
Të gjitha rezervimet duhet të garantohen me një kartë krediti të vlefshme. Mysafirët duhet të jenë mbi moshën 18 vjeçare. Pranojmë Visa dhe Master Card. Karta juaj e kreditit e garanton rezervimin tuaj. Sigurohuni që ta merrni numrin e konfirmimit kur ta keni realizuar rezervimin. Rezervimet duhet të anulohen 24 orë para datës së arritjes në hotel në mënyrë që të shmanget dëmshpërblimi për anulim. Rezervimet do të mbahen aktive deri në orën 10:00 të mëngjesit pas datës së planifikuar të mbërritjes suaj. Nëse nuk jeni paraqitur deri atëherë, nga karta e juaj e kreditit do të debitohet tarifa e një nate për mosparaqitje, plus tatimi, ndërsa bilanci i rezervimeve tuaja do të anulohet. City Inn nuk mbanë përgjegjësi për kushtet atmosferike, situatat e jashtëzakonshme personale apo ndryshimet e orarit.
KOHA E REGJISTRIMIT NË HOTEL (check-in)
14:00
REGJISTRIMET E HERSHME NË HOTEL (Early check-in)
Regjistrimet e hershme ofrohen varësisht nga disponueshmëria e dhomave. Nëse ju nevojitet regjistrimi i garantuar për arritje para orës 14:00, atëherë mund t’ju kërkohet një pagesë shtesë. Ju lutemi që ta kontaktoni direkt personelin e recepcionit për rezervime dhe për plotësimin e formularit për autorizimin e kartës së kreditit para mbërritjes suaj.
KËRKESAT NË LIDHJE ME REGJISTRIMIN (check-in)
Mysafirët duhet t’i kenë të paktën 18 vjeç për t’u regjistruar në City Inn. Në interes të sigurisë dhe parandalimit të mashtrimeve, mysafirët gjatë regjistrimit duhet të vërtetojnë identitetin e tyre duke paraqitur një dokument valid identifikimi me fotografi, të lëshuar nga ana e autoriteteve (pasaportë , letërnjoftim, patent shofer etj.). Gjithashtu, kërkohet karta e kreditit e cila duhet të jetë e vlefshme, e nënshkruar dhe e miratuar paraprakisht në emër të regjistrimit të mysafirëve. Është përgjegjësi e juaj që ta kuptoni plotësisht mënyrën në të cilën banka juaj i proceson autorizimet paraprake dhe debiton kartën tuaj të kreditit/debitit. Disa banka aplikojnë ndalesa për autorizimet e mbetura pezull deri në 45 ditë pune.
AUTORIZIMI PARAPRAK GJATË REGJISTRIMIT (check-in)
Autorizimi paraprak nënkupton një ndalesë të përkohshme të shumës së caktuar të limitit kreditor që është i disponueshëm në kartën tuaj të kreditit/debitit për shumën e plotë të qëndrimit tuaj të planifikuar, plus tatimin. Të gjitha kartat e kreditit/debitit janë të autorizuara paraprakisht gjatë regjistrimit në hotel. Autorizimi paraprak nuk nënkupton ndonjë pagesë nga llogaria juaj, por është vetëm një ndalesë e përkohshme e mjeteve tuaja. Pasi që të keni kryer pagesën e qëndrimit tuaj gjatë largimit nga hoteli (check-out), mund të zgjasë prej 24 orë deri në 45 ditë që banka juaj ta heqë autorizimin paraprak. Është përgjegjësi e juaja që të jeni të vetëdijshëm se në ç’mënyrë i trajton banka juaj të gjitha transaksionet tuaja, duke përfshirë edhe autorizimet paraprake. Ne nuk jemi në gjendje t’i heqim këto autorizime drejtpërdrejt përmes hotelit tonë.
REGJISTRIMI I MYSAFIRËVE
Regjistrimi i mysafirëve bëhet përmes dokumenteve valide të identifikimit me fotografi. Kërkojmë informata të vlefshme kontaktuese nga mysafirët që bëjnë rezervime në hotelin tonë, duke përfshirë emrin dhe mbiemrin, adresën, numrin e telefonit dhe nënshkrimin. Duhet të regjistrohen emrat e të gjithë mysafirëve që qëndrojnë në hotel.
KOHA E LARGIMIT NGA HOTELI (check-out)
10:00 paradite.
PROCEDURAT E LARGIMIT NGA HOTELI (check-out)
Nëse dëshironi ta zgjasni kohën e largimit nga hoteli, ju lutemi që ta kontaktini recepsionin një ditë para largimit dhe ne do të bëjmë çmos për ta përmbushur kërkesën tuaj. Për zgjatjen e kohës së largimit aplikohet pagesa shtesë.
LARGIMET E PARAKOHËSHME DHE TË VONËSHME
Mysafirët të cilët largohen nga hoteli pas orës 10:00 të mëngjesit dhe para datës së planifikuar të vajtjes, i nënshtrohet pagesës së dëmshpërblimit për një natë për largim të parakohëshëm.
KËRKESAT E VEÇANTA
Me rastin e ardhjes suaj, do të përpiqemi që t’i respektojmë kërkesat tuaja të veçanta. Të gjitha kërkesat e veçanta shënohen në kuadër të rezervimeve dhe do të bëjmë çmos për t’i përmbushur ato. Megjithatë, nuk mund të garantojmë paraprakisht për përmbushjen e këtyre kërkesave në veçanti kerkesa për një kat ose numër të veçantë dhome.
PAGESAT
Të gjitha rezervimet dhe regjistrimet duhet të garantohen me një kartë krediti të vlefshme. Ne pranojmë Visa dhe Master Card. Në përputhje me marrëveshjen për kartë të kreditit, kartat e kreditit nuk janë të vlefshme nëse nuk janë të nënshkruara nga shfrytëzuesi i saj. Pagesa me para të gatshme (në euro) pranohet së bashku me kartën e kreditit të nënshkruar dhe të autorizuar paraprakisht. Të gjithë mysafirët janë të obliguar që të paraqesin një kartë krediti dhe një dokument të vlefshëm identifikimi me fotografi të lëshuar nga ana e autoriteteve, edhe nëse mysafirët planifikojnë të paguajnë me para të gatshme gjatë largimit (check-out). Valutat e huaja nuk pranohen.
ÇEQET DHE PAGESA NË FORMË TË ÇEQEVE
Nuk i pranojmë çeqet. Ne nuk ofrojmë shërbime për pagesa në formë të çeqeve.
SHFRYTËZUESIT E KARTËS SË DEBITIT/KARTËS SË KREDITIT
Karta juaj e kreditit apo debitit do të jetë paraprakisht e autorizuar gjatë regjistrimit për shumën e gjithëmbarshme të qëndrimit tuaj. Autorizimi paraprak do t’i ndalë mjetet deri në momentin e largimit (check-out), me ç’rast do të paguhet vetëm shuma reale e qëndrimit tuaj. Nëse e ndryshoni mënyrën e pagesës gjatë largimit ose e zgjasni kohën e qëndrimit tuaj, banka e juaj mund të mos i procesojë menjëherë ndryshimet në llogarinë tuaj. City Inn nuk ka kontroll mbi politikat e bankës suaj dhe nuk do të jetë përgjegjës për ndonjë ndëshkim ose dëmshpërblim me të holla si rezultat i “fondeve të pamjaftueshme”. Është përgjegjësi e juaja që të kuptoni tërësisht mënyrën se si i proceson banka juaj autorizimet paraprake dhe debiton kartën tuaj të debitit ose kreditit. Disa banka aplikojnë ndalesa për autorizimet e mbetura pezull deri në 45 ditë pune.
GARANCITË
Në momentin e rezervimit kërkohet një kartë krediti për të garantuar dhomën dhe siguruar periudhën e rezervimit.
REZERVIMET DHE PAGESA PËR QËNDRIMIN E MYSAFIRËVE NGA PALËT E TRETA PRIVATE
Në përgjithësi, nuk pranohen pagesat nga ana e palëve të treta. Në rast të pagesës për një anëtar të familjes, nëse nuk do të jeni fizikisht të pranishëm në hotel, kërkojmë plotësimin dhe miratimin paraprak të një formulari për autorizimin e kartës së kreditit duke përfshirë kopjen e letërnjoftimit, pasaportës ose patent shoferit si dhe një kopje të kartës së kreditit të nënshkruar në faqen e parë dhe të pasme të saj. Ju do të jeni përgjegjës për çfarëdo dëmi apo humbje. Ne mbajmë të drejtën për të refuzuar rezervimin në çdo kohë për çfarëdo arsye.
TARIFAT (ÇMIMET)
Të gjitha çmimet janë të kuotuara në euro, përfshirë tatimi. Çmimet mund të rriten pa paralajmërim. Çmimet e publikuara në uebsajtin e City Inn ose në ndonjë uebsajt tjetër ose nëpër materialet promocionale mund të ndryshojnë në çdo kohë dhe mund të ngriten ose të ulen sipas zgjedhjes së hotelit. Të gjitha çmimet në valuta tjera të cilat publikohen nëpër kanalet e partnerëve dhe në uebsajtet për rezervime të hoteleve konvertohen automatikisht nga faqet përkatëse, sidoqoftë në hotel ju do të paguani çmimin e kuotuar në euro.
E DREJTA PËR REFUZIM TË SHËRBIMIT
City Inn është në pronësi private dhe menaxhohet si i tillë. Ne kemi të drejtë për t’ia refuzuar shërbimin kujtdo për çfarëdo arsye. City Inn ka një politikë të tolerancës zero, me ç’rast do të refuzojmë të pranojmë ose të refuzojmë shërbimin apo akomodimin në hotelin tonë ose të nxjerrë jashtë një person, pa të drejtë rimbursimi, i cili refuzon t’i respektojë standardet dhe rregullat e arsyeshme të përcaktuara nga City Inn. City Inn do të refuzojë shërbimin ose dëbojë një mysafir për shkak të refuzimit ose dështimit për të paguar për akomodim, nëse është nën ndikim të alkoolit, drogës ose ndonjë substance tjetër dehëse dhe vepron në mënyrë të pahijshme duke shqetësuar mysafirët tjerë; nuk kujdeset siç duhet për fëmijët e saj/tij gjatë gjithë kohës, kërkon të shfrytëzojë hotelin për një qëllim të paligjshëm; kërkon të sjellë në hotel: një armë zjarri të paligjshme ose diçka të ngjashme, përfshirë ndonjë substancë shpërthyese ose të rrezikshme apo toksike, që është e paligjshme për ta poseduar dhe që mund të jetë e rrezikshme për persona tjerë; nëse shkatërron, dëmton, pengon ose kërcënon me dëmtim të pronës së hotelit ose lëndim të mysafirëve; është shkaktar ose lejon që persona të ndryshëm të tejkalojnë shfrytëzimin e hapësirës së lejuar maksimale në dhomë, refuzon t’i respektojë standardet ose rregullat e arsyeshme të përcaktuara nga City Inn për funksionimin dhe menaxhimin e hotelit tonë.
PERIUDHA E DITËS KUR NDALOHET ZHURMA
Periudha e qetë fillon prej orës 23:00 deri në ora 8:00 në mëngjes. Nëse vëreni ndonjë mysafir zhurmëmadh, ju lutemi që ta kontaktoni menjëherë personelin e recepsionit përmes telefonit të dhomës ose personalisht. Televizionet, zërat ose pajisjet tjera duhet të mbahen në nivel të ulët gjatë gjithë kohës. Dyert duhet të hapen dhe mbyllen në qetësi. Nuk lejohen tubime apo vrapime nëpër korridore.
VIZITORËT
Vizitorët duhet të njoftojnë personelin e recepsionit për mbërritjen e tyre dhe te identifikohen me mjet identifikimi si pasaportë apo letërnjoftim. Vizitorët duhet të shoqërohen nga mysafirët e regjistruar gjatë gjithë kohës. Si mysafir i regjistruar, ju jeni përgjegjës për vizitorin tuaj gjatë gjithë kohës.
MËNGJESI
Mëngjesi është falas vetëm për mysafirët e regjistruar. Vizitorët nuk mund t’i bashkohen mysafirit të regjistruar për një mëngjes falas. Vizitorët e mysafirëve duhet të paguajnë në recepsion tarifën e mëngjesit për person.
ANULIMI
City Inn nuk mbanë përgjegjësi për kushtet e këqija atmosferike, situatat e jashtëzakonshme personale apo ndryshimet e orarit.
TARIFAT PËR MOSPARAQITJE
Mosparaqitja në datën e planifikuar të mbërritjes për rezervimin e garantuar me një kartë të kreditit do të rezultojë me pagesë të tarifës nga karta e juaj e kreditit për mosparaqitje. Ju do të paguani vetëm për natën e parë, që nënkupton çmimin e plotë të dhomës përfshirë taksat.
REZERVIMET GRUPORE
Rezervimet e mëdha grupore/bllok rezervimet duhet të anulohen 2 javë para datës së arritjes. Rezervimet e anuluara pas kësaj date mund të tarifohen me pagesë të plotë të çmimit për dhomë për secilën dhomë të rezervuar.
SHENJA “MOS MË SHQETËSO” DHE QASJA NËPËR DHOMA
Për t’u ofruar të gjithë mysafirëve tanë një ambient jashtëzakonisht të pastër dhe të sigurt në hotel, ne ofrojmë shërbime të përditshme të mirëmbajtjes së dhomave. Personeli ynë i mirëmbajtjes së dhomave do ta respektojë shenjën “mos më shqetëso” të vendosur në derë një herë në dhjetë orë, që nënkupton se dhoma është e zënë gjatë kësaj periudhe kohore. Personeli i mirëmbajtjes duhet të hyjë në dhomë më vonë për të pastruar, kontrolluar sigurinë dhe për të verifikuar gjendjen e përgjithshme të dhomës dhe mirëqenien e mysafirit. Menaxhmenti i hotelit rezervon të drejtën për të hyrë në dhomë përkundër shenjës së vendosur “mos më shqetëso”, për qëllime të arsyeshme, siç janë rastet urgjente, mirëmbajtja ditore, pastrimi, të kontrollojë dhomën (mobiliet dhe pajisjet mekanike) nëse është dëmtuar, apo për të parandaluar ndonjë shkelje të rregullave të hotelit tonë. Në rast të veprimtarisë së dyshuar dhe të paligjshme, menaxhmenti rezervon të drejtën që t’i thërras organet e zbatimit të ligjit për të ndihmuar në dëbimin e personit. E drejta për privatësi përfundon në momentin kur shkelen rregullat e hotelit. Organeve të zbatimit të ligjit do t’u jepet qasje e menjëhershme në pronën e hotelit dhe në dhomat e mysafirëve të dëbuar.
FËMIJËT
Fëmijët e të gjitha moshave janë të mirëseardhur. Fëmijët nën moshën 12 vjeç qëndrojnë pa pagesë kur e ndajnë dhomën me një ose më shumë të rritur që e paguajnë dhomën, duke përdorur shtratin/shtretërit ekzistues. Si prindër, kujdestarë ose përcjellës të fëmijëve, ju jeni personalisht dhe ligjërisht përgjegjës dhe duhet t’i mbikëqyrni ata gjatë gjithë kohës. Për shkaqe sigurie, ju lutemi që mos t’i lini fëmijët të pashoqëruar në dhoma apo që të shëtisin nëpër hapësirat e hotelit pa mbikëqyrje.
SHTRETËRIT SHTESË
Një numër i kufizuar i shtretërve për fëmijë do të jenë në dispozicion sipas kërkesës.
ÇELËSAT E DHOMËS – KARTELAT ELEKTRONIKE
Çelësat e dhomës (kartelat për hapjen e dhomës) i dorëzohen mysafirit të regjistruar. Ndalohet dhënja e çelësit të rinjve nën moshën 18 vjeç gjatë gjithë kohës. Lëtërnjoftimi është i domosdoshëm nëse keni humbur çelësin e dhomës dhe duhet të kërkoni një çelës tjetër. Ju lutemi t’i ktheni çelësat e dhomës tek recepcioni gjatë largimit nga hoteli (Check-out).
MIRËMBAJTJA/INSPEKTIMI I DHOMAVE
Mirëmbajtja e dhomave ofrohet çdo ditë nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 14:00. Dhomat pastrohen dhe inspektohen çdo ditë, ndërsa një regjistër i detajuar ruhet në çdo dhomë dhe për çdo mbulesë/çarçaf. Dhomat u ofrohen mysafirëve në gjendje të përshtatshme pa ndonjë aromë të ndaluar. Personeli i mirëmbajtjes dhe personeli i recepcionit janë të trajnuar dhe të aftë në identifikimin e kundërmimit që vjen nga gjërat e ndaluara. Nëse inspektimi ynë konstaton se keni pirë duhan në dhomën tuaj, keni gatuar ose sjellë ndonjë send të ndaluar në objektin tonë, ju do të gjobiteni dhe dëboheni pa ndonjë rimbursim.
NDËRRIMI I MBULOJAVE (ÇARÇAFËVE)
Komoditeti juaj është shumë i rëndësishëm për neve. Për mysafirët që qëndrojnë për disa netë, mbulojat (çarçafët) ndërrohen në bazë të orarit rotativ. Peshqirët e përdorur ndërrohen çdo ditë me peshqirë të rinj. Nëse personeli i mirëmbajtjes nuk mund ta rregullojë shtratin për shkak të gjërave personale të lëna mbi shtrat, në atë dhomë do të lihet një shënim. Personeli i mirëmbajtjes ka për detyrë t’i ndërrojë mbulojat (çarçafët) dhe të rregullojë shtratin tuaj çdo ditë nëse hiqen të gjitha gjërat personale. Ju lutemi që të kontaktoni përsonelit tonë të recepsionit nëse keni ndonjë pyetje apo shqetësime shtesë.
RREGULLA RRETH GJËRAVE TË HUMBURA DHE TË GJETURA
City Inn nuk merr asnjë përgjegjësi për gjërat tuaja personale dhe me vlerë që kanë humbur, janë ngatërruar, vjedhur apo dëmtuar. Nëse e kuptoni se keni harruar ndonjë gjë me vlerë, ju lutemi që t’i telefononi menjëherë personelit në recepcion dhe ne do të përpiqemi t’ju ndihmojmë në gjetjen e sendeve të humbura.
GJËRAT E GJETURA
City Inn nuk mbanë përgjegjësi për çfarëdo sendi që mund ta ketë harruar mysafiri. Megjithatë, çdo send, me përjashtim të artikujve që prishen, të cilin e harrojnë mysafirët tanë dhe e gjen personeli i mirëmbajtjes pas largimit të mysafirëve, do të grumbullohet, regjistrohet dhe mbahet në një vend të sigurt për t’u tërhequr nga pronari për një periudhë prej 90 ditëve kalendarik. Do të bëhen përpjekje të arsyeshme për të njoftuar mysafirin për sendin e gjetur. Sendet e prishura, të brendshmet dhe artikuj të ndryshëm tualeti do të hidhen.
ARTIKUJT QË NUK KËRKOHEN/NUK EKZISTON KONTAKTI
Sendet e humbura dhe të gjetura mbahen për 90 ditë kalendarik, gjatë së cilës kohë do të përpiqemi t’i kontaktojmë mysafirët. Nëse informatat kontaktuese të mysafirit nuk janë të sakta dhe ne nuk mund ta kontaktojmë mysafirin gjatë periudhës prej 90 ditëve, artikujt e pakonfirmuar do të hidhen ose do t’u jepen organizatave bamirëse.
RREGULLA PËR PËRDORIMIN E ALKOOLIT
Mysafirët e regjistruar të moshës madhore të cilët vendosin që të sjellin pije alkoolike, duhet t’i konsumojnë ato në dhomat e tyre. Alkooli i sjellur nga vizitorët nuk lejohet të përdoret në vende publike si lobi, korridore, etj.
RASTET URGJENTE OSE ZJARRI
Ju lutemi që ta njoftoni personelin e recepcionit në rast të zjarrit ose ndonjë urgjence tjetër. Skema që tregon daljet emergjente gjendet në pjesën e pasme të derës së dhomës.
RREGULLA E SIGURISË NDAJ ZJARRIT
Hoteli është i pajisur plotësisht me detektorë të tymit/zjarrit. Informacioni mbi sigurinë nga zjarri gjendet në dokumentin e quajtur “Përmbledhja e shërbimeve për mysafirë” dhe në planet e evakuimit emergjent në derën e secilës dhomë të mysafirëve. Ju lutemi që t’i lexoni me kujdes këto informacione të rëndësishme.
NDALOHEN KREMTIMET NËPËR DHOMA
City Inn zbaton rregullën ku ndalohet kremtimi nëpër dhoma për të siguruar mbrojtjen e hotelit dhe mysafirëve tanë në çdo kohë. Nuk lejohen dhe tolerohen kremtimet, rrëmujat dhe/ose zhurmat në ambientet e hotelit. Në rast të rrëmujës, do t’ju kërkohet me mirësjellje (paralajmërim) që të mos bëni zhurmë. Nëse kërkesa jonë nuk respektohet, do të kërkohet nga mysafiri që të largohet nga hoteli pa të drejtë rimbursimi. Mysafiri i regjistruar është përgjegjës për të gjithë vizitorët e tij/saj.
QASJE FALAS NË WI-FI
Qasja në Wi-Fi për mysafirët tanë të regjistruar është falas. Kodi i qasjes në Wi-Fi të hotelit mund të ndryshojë pa paralajmërim. Sinjalet e valëve të Wi-Fi mund të ndryshojnë pa paralajmërim varësisht nga vendndodhja e dhomës, gjendja e pajisjeve të Wi-Fi dhe ndërhyrja nga signalet e pajisjeve tjera lokale. City Inn nuk merr asnjë përgjegjësi për përdorimin e internetit nga mysafirët.
INFORMACIONET DHE SAKTËSIA
City Inn përpiqet që të sigurojë që të gjitha informatat e publikuara në uebsajtin tonë të jenë të sakta. Megjithatë, nuk jepet asnjë garanci, e shprehur apo e nënkuptuar, që informatat e ofruara në këtë uebfaqe janë pa gabime. City Inn nuk pranon përgjegjësi për ndonjë gabim dhe/ose lëshim dhe rezervon të drejtën për të ndryshuar informacionin e publikuar në çdo kohë dhe pa paralajmërim.
SËMUNDJET DHE EPIDEMITË
City Inn rezervon të drejtën për të refuzuar akomodimin e një mysafiri i cili vjen me ndonjë sëmundje ngjitëse. Në raste kur sëmundja shfaqet gjatë qëndrimit në hotel, ju lutemi që ta njoftoni personelin e recepsionit. Në rast të sëmundjes së rëndë, mund t’ju kërkohet që të pranoni shërbimet e kujdesit të duhur shëndetësor nga një qendër e afërt shëndetësore. Gjatë epidemive, ne kemi të drejtë të ndërmarrim masa paraprake në bazë të gjykimit tonë ose siç kërkohet nga autoritetet lokale. Mund të kërkojmë që të paguani një tarifë për pastrimin e dhomës, në përputhje me rrethanat.
INFEKSIONI
Pastërtia e dhomave tona është shumë e rëndësishme për mysafirët tanë. Nëse sjellni ndonjë infeksion në dhomën tuaj ose në hapërsirat e hotelit tonë, mund t’ju kërkohet që t’i paguani të gjitha kostot dhe shpenzimet, duke përfshirë kërkesat urgjente për ndërmarrjen e masave dhe humbjen e të ardhurave nga dhoma , që i konsiderojmë si të nevojshme për të trajtuar infeksionin.
PARKINGU
Në dispozicion gjendet parkingu publik pa pagesë, varësisht nëse është i disponueshëm. Gjithashtu, sipas kërkesës, në dispozicion gjendet edhe parkingu privat që ka tarifë shtesë. Ju lutemi që ta kontaktoni recepcionin.
DËMTIMI DHE/OSE VJEDHJA E PRONËS SË HOTELIT
Ju jeni përgjegjës për çdo dëmtim (qoftë nga veprime të qëllimshme, mospërfillëse ose të pakujdeshme) të dhomave, hapësirave ose pronave të hotelit të shkaktuara nga ju ose ndonjë person në shoqërinë tuaj, pa marrë parasysh nëse ai/ajo është duke qëndruar apo jo në hotel gjatë qëndrimit tuaj. City Inn rezervon të drejtën t’i ruajë informatat e kartës suaj të kreditit dhe/ose të kartës së debitit të paraqitur gjatë regjistrimit dhe të paguajë ose debitojë nga karta e kreditit/debitit shumat të cilat konsiderohen të domosdoshme për të kompensuar shpenzimet ose dëmet e shkaktuara ndaj City Inn si rezultat i veprimeve të lartëpërmendura. Nëse ky dëmtim zbulohet pasi të jetë larguar mysafiri, ne rezervojmë të drejtën sepse ju na keni autorizuar që ta debitojmë kartën tuaj të kreditit ose debitit për çdo dëm të shkaktuar në dhomën tuaj ose në pronën e hotelit gjatë qëndrimit tuaj, duke përfshirë pa kufizime të gjitha dëmet e pronës, gjërat që mungojnë ose janë dëmtuar, gjobën për pirjen e duhanit, gjobën për pastrim, kompensimin e mysafirëve etj. Do të përpiqemi që të rregullojmë çfarëdo dëmi në mënyrë interne para se të angazhojmë ndonjë sepcialist për t’i kryer riparimet, në këtë mënyrë do të bëjmë çdo përpjekje për të mbajtur në minimum koston që do ta paguante mysafiri.
DËMET E ZBULUARA PAS LARGIMIT (Check-out)
Dhomat e mysafirëve në të cilat gjenden mbeturinat e shpërndara, ku mbizotëron një rrëmujë absolute dhe/ose është “përplot mbeturina” do t’i nënshtrohen dëmshpërblimit për pastrim të hollësishëm, dëmshpërblimit administrativ dhe/ose dëmshpërblimit të palëve të treta.
DËMTIMI I DHOMËS: Dëmtimi i dhomave, orendive, mobilieve dhe pajisjeve, duke përfshirë mungesën e pajisjeve elektronike, peshqirëve, veprave të artit, etj., do të debitohen në shumën prej 100% të vlerës së plotë ose vlerës së zëvendësimit plus çdo tarifë të transportit dhe montimit. Çdo dëm ndaj pronës së hotelit, pa marrë parasysh se a është e rastësishme apo e qëllimshme, është përgjegjësi e mysafirit të regjistruar për secilën dhomë të caktuar. Çdo shpenzim që ka të bëjë me riparim dhe/ose zëvendësim do të debitohet në kartën e kreditit të mysafirit të regjistruar. Në raste ekstreme, do të ngritet padia penale.
DËMTIMET E DYSHEKËVE DHE SHTRETËRVE: Dëmtimi i dyshekëve dhe mbulojave duke përfshirë peshqirët, mbështjellësit e dyshekëve, çarçafët, shtrojet e krevateve, batanijet si rezultat i përdorimit të vajrave të trupit, grimit, ngjyrës së këpucëve etj., do të rezultojë me pagesë për pastrim special, riparim ose zëvendësim të artikullit të dëmtuar.
DËMTIMI OSE PËRDORIMI I GABUAR I SISTEMIT TË DETEKTIMIT TË ZJARRIT/PAJISJEVE PËR SHUARJE TË ZJARRIT: City Inn rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime kundër çdo mysafiri ose vizitori për të cilin zbulohet se ka dëmtuar ose përdorur gabimisht ndonjë pajisje të dedektimit në mbarë hotelin, duke përfshirë kokët e detektorëve në hapësirat publike, dhomat e mysafirëve, vendet për thyerjen e xhamit dhe aparatet për shuarjen e zjarrit. Mysafirëve ose vizitorëve për të cilët zbulohet se kanë përdorur gabimisht dhe pa nevojë ndonjë pajisje për detektim të zjarrit ose pajisje kundër zjarrit do t’iu tarifohen të gjitha shpenzimet e shkaktuara në hotel për shkak të veprimeve të tyre dhe ata do të dëbohen nga hoteli. Varësisht nga vrazhdësia e veprimeve të mysafirëve, hoteli mund të zgjedh opsionin e përfshirjes së organeve për zbatimin e ligjit. Nëse dëmtimi i ndonjë pajisjeje për detektim ose shuarje të zjarrit zbulohet pasi të jetë larguar mysafiri, ne rezervojmë të drejtën, sepse ju na keni autorizuar që ta debitojmë kartën tuaj të kreditit ose debitit për çdo dëm të shkaktuar në dhomën tuaj ose në pronën e hotelit që ka ndodhur gjatë qëndrimit tuaj. Këtu përfshihen pa kufizime të gjitha dëmet e pronës, gjërat që mungojnë ose janë dëmtuar, gjoba për pirjen e duhanit, gjoba për pastrim, kompensimi i mysafirëve etj.
NDRYSHIMET OSE MODIFIKIMI I RREGULLAVE TË HOTELIT/RREGULLAVE SHTËPIAKE
City Inn rezervon të drejtën që t’i përmirësojë, modifikojë, ndryshojë, anulojë apo plotësojë këto rregulla të hotelit ose aranzhimet dhe përmbajtjen e publikuar në uebfaqen e hotelit tonë në çdo kohë pa njoftim paraprak. Ju lutemi që ta kontrolloni rregullisht uebfaqen tonë për përditësimet e rregullave të hotelit. Çdo ndryshim i këtyre rregullave të hotelit që ndodhë para largimit tuaj nga hoteli konsiderohet si pjesë e marrëveshjes suaj të rezervimit me neve. Një kopje e këtyre rregullave të hotelit gjendet në uebfaqen tonë dhe në Përmbledhjen e shërbimeve për mysafirë.
QENDRA E BIZNESIT
Kompjuteri i qendrës së biznesit ofrohet për mysafirët e regjistruar që të kontrollojnë e-mailin e tyre, të shtypin biletat e aeroplanit, etj. Fotokopjimet voluminoze ofrohen me pagesë. Fëmijët nuk lejohen të përdorin kompjuterin pasi që nuk është i destinuar për të luajtur lojëra, shikuar filma, etj.
TARIFAT E TELEFONIT
Tarifat e telefonit kalkulohen dhe i shtohen llogarisë së dhomës suaj në fund të çdo bisede telefonike. Tarifat që aplikohen për telefonatat lokale dhe ndërkombëtare janë të paraqitura sipas zonave/shteteve në dhomën tuaj.